Vllaznia fitoi ndaj Lushnjës, por prova e vërtetë nuk ka nisur ende

Ditën e djeshme ekipi i Vllaznisë arriti një fitore të rëndësishme përballë ekipit të Lushnjës. Një fitore që erdhi në transfertë dhe që rikthen për momentin qetësinë në kampin shkodran. Por, edhe pse u arritën 3 pikët në Shkodër nuk ka vend për të festuar. Përkundrazi, tani ekipi duhet mobilizuar më tepër, pasi fillon prova e vërtetë e ekipit të drejtuar nga Ernest Gjoka.

Pas fitores me Lushnjën, Vllaznia do të presë ekipin e Teutës në stadiumin “Loro Boriçi”. Një tjetër sfidë mbijetesë mes të dyja skuadrave që ndajnë vendin e 8-të dhe 9-të në tabelën e klasifikimit dhe për momentin janë dy kandidatët e mundshëm për të shoqëruar Lushnjën në Kategorinë e Parë, edhe pse është herët për të bërë llogaritë e këtij sezoni.

Pas Teutës, Vllaznia do të udhëtojë drejt Gjirokastrës për tu përballur me një tjetër kundërshtar të vështirë, siç është Luftëtari. Këto do të jenë dy ndeshje vendimtare për ekipin shkodran, që nëse i kalon me sukses, pra me dy fitore, atëherë do të jenë më të qetë në ndeshjet e tjera. Fitorja me Lushnjën ishte detyrim dhe forca e vëertë e Vllaznisë së Gjokës do të shihet që nga ndeshja me Teutën.

Kujtojmë se shkodranët në këtë sezon, pas 19 javësh, kanë grumbulluar 18 pikë, 1 më shumë se Teuta e vendit të 9-të. Ndërkohë deri në gjysmën e këtij sezoni, shkodranët kanë arritur vetëm 5 fitore, ku 3 prej tyre i kanë marrë ndaj Lushnjës së vendit të fundit. /ShkodraNews