Vllaznia “bën Lushnjën” në Durrës

Ekipi i Vllaznisë ka zhgënjyer në takimin e zhvilluar në Durrës, ndaj Teutës vendase. Shkodranët u mposhtën me rezultatin e pastër 2 – 0 që në pjesen e parë, duke humbur një mundësi të artë për tu shkëputur nga Teuta dhe Kamza. Për më tepër, me këtë fitore, durrsakët barazojnë me pikë kuqeblutë.

Vllaznia do e niste më mirë lojën, duke rrezikuar me dyshen Ribaj-Sukaj, por edhe mesfushorët Vucaj e Krymi, por më pas Teuta do merrte lojën në kontroll. Në minutën e 32-të një dalje e gabuar e portjerit Sherri do sillte golin e parë të takimit. Hrkaç do zhbllokonte shifrat, duke kaluar në avantazh Teutën.

Por, pjesa e parë do të mbyllej me një tjetër gol. Është një shkodran, që ndëshkon ish-skuadren e tij. Mbrojtësi Hakaj dyfishon shifrat në minutën e 47-të dhe dërgon Teutën në dhomat e zhveshjes në avantazh të dy golave.

Në të dytën nuk ka ndryshim rezultati pavarësisht përpjekjeve të lojtarëve të Vllaznisë. Madje, trajneri Gjoka luan me 4 sulmues në 15 minutat e mbetura, Sukaj, Ribaj, Çinari dhe Kalaja, por përsëri goli mungon në këtë sfidë për kuqeblutë. Kështu, Vllaznia rikthehet tek humbja dhe barazohet me pikë me Teutën, 33 pikë. /ShkodraNews