Tjetër zhgënjim për Vllazninë, U-17 humbet finalen

Vllaznia nuk ka arritur që të triumfojë në finalen e Kategorisë Superiore për grupmoshat U-17. Ekipi shkodran është mposhtur me rezultatin 1 – 3 në “Selman Stërmasi” nga ekipi i Besës së Kavajës. Ka qenë një lojë e dobët nga 17-vjeçarët shkodranë, që nuk rrezikuan pothuajse për asnjë moment portën kundërshtare.

Besa do të shënonte që në minutën e 14-të me anë të lojtarit Mecja. I njëjti lojtar do dyfishonte shifrat në minutën e 63-të, ndërsa Krasniqi do të mbyllte takimin në minutën e 70-të, duke e bërë të pavlefshëm golin e shënuan në minutat e fundit nga Mali me penallti. Kësisoj, kavajasit fitojnë kupën e tretë në këtë sezon.

Ndërkohë, Vllaznia U-17 e mbylli sezonin në vendin e dytë në Grupin A me 61 pikë. Në play-off, 17-vjeçarët shkodranë mposhtën me penallti 4 – 3 ekipin e Flamurtarit, por nuk ia dolën të triumfojnë edhe në finale. /ShkodraNews