Te Vllaznia hapet gara për trajnerin e skuadrës, e duan edhe të huajt

Vllaznia do e nisë sezonin e ri nga Kategoria e Parë. Ndryshe nga vitet e tjera, shkodranët do të luajnë një kategori më poshtë në edicionin 2018 – 2019. Largimi i ish-teknikut Ernest Gjoka që 2 javë para përfundimit të kampionatit ka bërë që tek kuqeblutë të nis kërkimi i një trajneri të ri.

Ervis Kraja, trajneri i Vllaznisë B në sezonin që sapo u mbyll, drejtoi ekipin në 2 ndeshjet e fundit të kampionatit. Ai shihet si një alternativë për këtë ekip edhe në sezonin e ri. Por, ditët e fundit janë përmendur edhe emra të tjerë si Edi Martini apo Elvis Plori e Samuel Nikaj. Por, Plori ka nënshkruar me Kastriotin e Krujës, ndërsa Nikaj nuk pranon të drejtojë skuadren shkodrane përsa kohë e menaxhon bashkia.

Por, në orët e fundit kanë dalë edhe emra të tjerë. Bëhet fjalë për gjermanin, Ulrish Shulce dhe italianin, Baldo Raineri. Shulce e ka drejtuar Vllazninë në 2006-ën për disa javë, duke mos arritur ta mbyll kampionatin. Ndërkohë, italiani Baldo Raineri e ka drejtuar skuadrën shkodrane në sezonin 2014 – 2015. Madje, këto dy trajnerë kanë shprehur interesim për të marrë drejtimin e Vllaznisë në sezonin e ri. /ShkodraNews