Sukaj “i tronditur”: Nuk kam përjetuar presion më të madh

Vllaznia mori sot një fitore të rëndësishme në një transfertë delikate, siç ishte ajo e Lushnjës. Shkodranët fituan pastër 2 – 0 ndaj lushnjarëve, falë “xhevahirit” të tyre, sulmuesit Sukaj. Pas ndeshjes, Sukaj ka komentuar lojën e skuadrës së tij, por edhe presionin e ditëve të fundit.

“Lojtarët duhet të japin maksimumin sepse rrezikojnë. Kjo ndeshje ishte delikate sepse edhe kundërshtari rrezikonte trenin e fundit. Arritëm të marrim 3 pikë që ishin të domosdoshme për ekipin tonë. Që kur kam filluar të luaj futboll, presion më të madh nga tifozët e tij, nuk e kam përjetuar asnjëherë. Shpresoj që nga kjo fitore situata të ndryshojë dhe kritikat të jenë më të pakta.” – thotë fillimisht Sukaj.

Më tej, sulmuesi shkodran shton: “Duke parë dy ndeshjet e para që ishin ndaj Skënderbeut dhe Kukësit, dua të them se nuk janë këta rivalët tanë të vërtetë. Mundësitë tona janë për më lartë, por këto dy ndeshjet e fundit që kemi humbur, nuk kanë qenë për të parë nivelin e skuadrës sonë. Diskutova me Ribajn për të ekzektuar penalltinë, pasi doja që të shënonte edhe ai, meqë është një futbollist i kritikuar aq gjatë nga specialistët në Shkodër.”

Me dy golat e realizuar sot, Sukaj ka arritur në kuotën e 4 finalizimeve, pasi në këtë sezon ka shënuar edhe 2 gola me Partizanin para se të rikthehej tek Vllaznia. /ShkodraNews