Stadiumi “Loro Boriçi” rrezikon të mbyllet përsëri? Ja përse

Punime, punime, punime. Kjo ka qenë fjala kryesore në vitet e fundit në fushën e stadiumit “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës, që kur ky stadium iu nënshtrua rikonstruksionit të plotë.

Në fakt cilësia e barit nga një firmë greke nuk ka qenë e mirë dhe kjo është parë edhe nga ndërhyrjet e shpeshta në të. Ndërhyrja më e fundit u realizua para ndeshjes së Kombëtares Shqiptare me Skocinë për Ligën e Kombeve.

Por, pak javë që prej asaj ndërhyrje, duket se fusha e stadiumit “Loro Boriçi” është kthyer përsëri në gjëndje skandaloze.

A thua se nuk ka pasur asnjë punim në këtë fushë vetëm para disa javësh. Një gjë e tillë u pa mjaft qartë edhe gjatë ndeshjes së djeshme mes Vllaznisë dhe Burrelit për Kategorinë e Parë.

Në shumë pjesë të saj fusha ishte e dëmtuar, çka sjell edhe nëvojën për të parë cilësinë e punimeve në këtë fushë ose të barit që vendoset.

Natyrisht nëse vijohet me të tilla ritme dhe shtohen ndeshjet në stadiumin “Loro Boriçi”, pasi në këtë stadium nuk luan vetëm Vllaznia, por edhe ekipe të tjera, atëherë shumë shpejt do të kemi një tjetër mbyllje të stadiumit për disa javë. /ShkodraNews