Shqipëria, mes vendeve ku konsumohet më shumë duhan

Shqipëria ka në total rreth 753 mijë duhanpirës, nga të cilët 651 mijë janë meshkuj.

Sipas një raportit të OBSH-së për përdorimin e duhanit dhe cigares, Shqipëria renditet mes vendeve ku konsumohet më shumë duhan, së bashku me Greqinë, Armeninë, Gjeorgjinë dhe Rusinë. Kjo është e ndikuar vetëm nga meshkujt, 51,1% e të cilëve janë duhanpirës.

Vetëm 7,9% e femrave shqiptare tymosin duhan (102 mijë), një nga raportet më të ulëta në të gjithë Europën. Shqipëria është kështu edhe një nga vendet me pabarazinë më të lartë gjinore në duhanpirje, ku grave u “ndalohet” të konsumojnë cigaren.

Tek duhanpirëset e gjinisë femërore vihet re gjithashtu se janë moshat më të mëdha ato që konsumojnë duhan: 12,5% e grave mbi 55 vjeç janë konsumuese, ndërsa tek vajzat e reja shifrat e duhanpirjes janë vazhdimisht në rënie.

Treguesit janë pozitivë kryesisht tek të gjithë të rinjtë, ku vetëm 1 në pesë individë 15-24 vjeç janë duhanpirës. Këto shifra, janë ndër më të ulëtat në Europë.

Tek meshkujt, janë të lindurit mes viteve ‘50-’60-’70 ata të cilët konsumojnë më tepër duhan, por shifrat janë të larta edhe për të lindurit para ’90-ës.

600 mijë njerëz janë duhanpirës të rregullt ditorë, dhe OBSH llogarit një rritje të vogël në këto shifra deri në vitin 2020, përpara se ky numër të ndjekë trendin e vendeve të tjera europiane në rënie.

Një nga sëmundjet respiratore që lidhet me duhanpirjen, tuberkulozi, në vendin tonë shfaq shifra relativisht të larta krahasuar me Bashkimin Europian.