“Pusho more qen, qepe gojën!”, dy vëllezërit lënë nam tek Arditi, motivi do t’ju bëjë të nxirrni lot inati

Një histori shokuese sot tek “Shihemi në gjyq”.

Protagonistët e sotëm të seancës së ndërmjetësimit në rubrikën “Shihemi në Gjyq” ishin dy vëllezër, Rolandi dhe Arbeni, të cilët ndodhen prej vitesh në konflikt për shkak të biznesit familjar. Në studion e emisionit “E Diela Shqiptare” ndodheshin e ëma, motrat si dhe bashkëshortja e Arbenit, Fatimja, të cilat u përfshinë në debatin e ashpër mes vëllezërve.

E gjithë problematika e familjes Resuli nis me blerjen e 100 krerë deleve në vitin 1992, duke krijuar në këtë mënyrë një fermë si biznes familjar. Protagonistët e seancës thanë se paratë për të blerë këto 100 krerë dele i ka dhënë Rolandi, i cili kishte punuar disa kohë në Greqi.

Fillimisht krerët e bagëtive i kishin të ndara, por babai i tyre Ismaili propozoi që tufa të bashkohej dhe të dy vëllezërit bashkë me të atin ta kenë të përbashkët këtë biznes, edhe pse Rolandi nuk ishte dakord.

Pas dhjetë vitesh punë tufa e bagëtive u shtua nga 200 në 1200 krerë. Me paratë e fituara nga ky biznes u ra dakord nga të gjitha palët që të ndërtohen 2 shtëpi; në njërën nga shtëpitë do të jetonte Arbeni me familjen, ndërsa në shtëpinë tjetër do të jetonte Rolandi bashkë me të atin.

Krizat në biznesin familjar u krijuan kur Rolandi u kthye nga Greqia dhe u punësua në Policinë e Shtetit, ku paga ishte shumë e ulët. Arbeni akuzoi Rolandin se është ushqyer me paratë e biznesit, por pa punuar asnjë ditë aty.

“Ti nuk e di se çfarë është ruajtja e deleve. Ke ardhur vetëm 1 vit sa më prishe mua të gjithë pasurinë!”, i tha Fatimja kunatit të saj.

Ndërsa ky i fundit ngriti pyetjen se përse i kalonin të vëllait të gjitha fitimet e biznesit për t’u menaxhuar, ndërkohë që ai nuk ishte më në certifikatën familjare dhe kishte krijuar familjen e tij. Ai pretendoi se në vitin 1992 ka dhënë 2 milionë e 200 mijë lekë të vjetra për biznesin familjar, ndërsa Arbeni dhe e ëma e tyre këmbëngulën që ka dhënë vetëm 1 milion e gjysmë lekë të vjetra.

“Mama mos u përdor, të lutem! Më ke djalë, e ke djalë! Ne këtu kemi ardhur që po mundëm ta zgjidhim, do ta zgjidhim, po nuk mundëm, gjithkush në rrugën e vet, nuk ka asnjë problem. Unë kam ardhur me dëshirën më të madhe për ta zgjidhur!”, u shpreh Rolandi, duke i mohuar të ëmës pretendimin që as ai nuk ishte më pjesë e certifikatës familjare.   

Nga ana tjetër Arbeni shpjegoi se ka patur më pak bagëti, ndaj dhe vitin e parë ka marrë vetëm fitimin e shitjes së qumështit. Kur është barazuar sasia e bagëtisë atëherë janë ndarë edhe fitimet në mënyrë të barabartë.

Pas largimit nga puna në polici në vitin 2000, vëllai dhe babai i propozuan Rolandit që të punojë me ta me delet, duke i caktuar kështu një rrogë mujore, por Rolandi iu kthye: “Unë jam investitori. Babai më ka thënë: ‘Roland pse ikën në Greqi, ti ke pjesën tënde këtu’“.

Arbeni – Pusho more qen, pusho të thashë! Mos të të dëgjoj më harbut i qelbur! Qepe gojën!

Rolandi – Mos ofendo!

Arbeni – Pusho të thashë, të mbaroj unë!

Për shkak të gjithë konfliktit, Arbeni vendosi që të ndahet nga biznesi, duke i thënë babait dhe Rolandit që kur të shiteshin bagëtitë, ai donte pjesën e tij. Brenda vitit delet u zhdukën dhe atij i thanë që ngordhën, por ai pretendoi se i kanë shitur. Rolandi bashkë me të ëmën thanë se pas një përmbytjeje që ndodhi në zonën e tyre, dhentë u mbytën.

Arbeni – Ti u dole zot atyre, ti dhe babai. I shiti dhentë i ka dhënë me fajde lekët, i di unë me të dëgjuar nga njerëzit, 60-70 milionë lekë.

Rolandi – E kuptoni që ky merret me thashetheme.

Një tjetër çështje për të cilën konfliktohen dy vëllezërit është blerja e një magazine që në vitin 1995, por procesi i legalizimit të saj është bërë më vonë. Rolandi tha se në vitin 2016 vëllai i tij  shkoi në hipotekë dhe nëpërmjet një ryshfeti prej 10 milionë lekësh ka marrë dhe pjesën e tij.

Por konflikti i vëllezërve nuk përfundon me kaq. Testamenti që ka lënë babai i tyre është kthyer në sherr jo vetëm për vëllezërit, por për të gjithë familjen.

Më 17 Prill të vitit 2010, Ismail Resuli, babai i djemve ka ndërruar jetë pas një sëmundjeje të rëndë që ai vuante. Ndërsa testamenti është nënshkruar në datën 15 Prill 2010, pra dy ditë para se i ndjeri të ndërronte jetë.

Juristja Çobani shtroi pyetjen se si është e mundur që të shkohet përpara një njeriu me sëmundje të rëndë dhe të merret një testament. “A ka qenë ai në gjendje të dëshifrojë ato që janë shkruar në testament?”, u shpreh ajo.

“Në 15 Prill, më vjen ky (Rolandi), pa lajmëruar fare, më solli aty testamentin të përgatitur”, tha zonja Krisanthi, mamaja e djemve, duke u shprehur se ka firmosur qorrazi, pa ditur se çfarë është shkruar në testament.

Eni Çobani iu drejtua zonjës duke thënë: “Zonjë po thoni një të vërtetë shumë të rëndë, nëse testamenti është hartuar përpara dhe është  sjellë përpara zotërisë për të firmosur, ky është një gabim shumë i rëndë, një paligjshmëri shumë e madhe, një vepër penale e kryer nga noterja në fjalë, kështu që ju lutem bëni kujdes për gjërat që thoni. Noterja Arjana Dodi mban përgjegjësi për këtë testament të hartuar në datën 15 Prill, para një njeriu që jepte jetë sepse në datën 17 Prill ai ka ndërruar jetë.”

Me anë të këtij testamenti Ismail Resuli ka lënë si trashëgimtar të tij të vetëm, djalin Roland Resuli, duke përjashtuar nga trashëgimia çdo person tjetër të mundshëm. Motrat në studio replikuan duke thënë se janë gjashtë fëmijë dhe jo vetëm një, ndaj dhe ato duhet të ishin pjesë e kësaj trashëgimie.

“Kjo është një pasuri nga gjyshi ynë, nuk ka as Beni e as Landi të drejtë. Ata çfarë kanë të dy, le ta zgjidhin”, tha motra Alma.

Eni Çobani vijoi duke lexuar testamentin: “Testatori nuk është në gjendje të nënshkruajë për shkak të sëmundjes, por është në gjendje të kuptojë dhe të komunikojë shumë mirë. Për këtë shkak aktin ia lexon me zë të lartë dhe të kuptueshëm e besuara e tij, bashkëshortja Krisanthi Qako Resuli. Testatori pasi e dëgjoi aktin nga zonja dhe e gjeti në përputhje me vullnetin e tij të lirë, e miratoi dhe e nënshkroi me gisht, duke autorizuar të besuarën e tij, bashkëshorten për të vërtetuar nënshkrimin”.

Por Krisanthi këmbënguli që ka firmosur qorrazi, pasi Rolandi i solli njerëzit pa e lajmëruar, ndërkohë që bashkëshorti i saj ishte duke vdekur.

Ardit Gjebrea ndërhyri duke pyetur trashëgimtarin: “Roland pse mendon se babi ta ka lënë ty pasurinë?” Rolandi iu përgjigj: “Sepse të gjithë i ndihmoi, unë isha më i vogli i shtëpisë. Vazhdimisht thoshte: ‘Landi janë të tuat, këta t’i ndihmojmë e t’i rregullojmë!’”

Zonja Eni u shpreh: “Gabimi i parë dhe i vetëm është hartimi i këtij testamenti. Forma në të cilën është marrë ky testament është totalisht e paligjshme dhe detyrimisht i pavlefshëm sepse testamenti është vullnet i brendshëm. Nuk mund të jetë prezent asnjë anëtar i familjes apo trashëgimtar, që mund të përfitojë nga kjo trashëgimi. Ligji shikon firmën e zonjës Krisanthi dhe që normalisht ky testament është totalisht i vlefshëm nga ana formale. Por në momentin që ky testament është hapur gjykata ka patur për detyrë të verifikojë që a ka ndalesa nga rezerva ligjore që ky testament të qëndrojë në fuqi”.

Si përfundim vetë Rolandi propozoi një zgjidhje. Ai kërkoi 100 metra katrorë nga magazina, për të cilën ai dhe vëllai janë bashkëpronarë dhe nëse bëhet kjo, atëherë Rolandi do të shikojë mundësinë e rindarjes së pasurisë që ka përfituar nga testamenti.

Publiku i emisionit “E Diela Shqiptare” i dha të drejtë Arbenit, i cili nuk pranoi marrëveshjen nga i vëllai.  Ndërsa Rolandi tha: “Më ke grabitur aq vjet, më rrope. Më ke katandisur si një zot e di!”

Debati vazhdoi deri në momentin e fundit të seancës së ndërmjetësimit, ndaj dhe juristja Çobani u shpreh se kjo çështje do të vijojë të ndiqet në zyrën e saj.