Për ata që i mbijetojnë sulmeve me acid, dënimi është i përjetshëm


Kjo është Katie Piper, një modele britanike, e cila u sulmua me acid në fytyrë dhe që deri më tani i nënshtruar 250 operacioneve për të rindërtuar fytyrën.

Modelja, e cila mbeti pjesërisht e verbër në sulmin e ndodhur në 2008 – ën i është shtuar zërave në Britani për ashpërsim të dënimeve për ata që kryejnë sulme me acid.

Në një letër të publikuar në revistën shkencore “Scars, Burns & Healing”, Katie zbulon se shumë të mbijetuar si ajo vetë duhet të jetojnë me frikën e përditshme se agresorët e tyre mund të përsërisin sulmin.

Katie rrëfen sesi këto sulme, mund të shkatërrojnë jetën e dikujt në pak sekonda.

“Në Mars të 2008 -ës, kur isha 24 – vjeç, një person me të cilin kisha dalë disa herë, kishte paguar një bashkëpunëtor që të më hidhte acid sulfurik në fytyrë. Sulmi më la pjesërisht të verbër, me shenja të rënda në fytyrë, kraharor, qafë, krahë e duar. Nuk e njihja më veten kur u zgjova nga koma dhe doja të vetëvritesha”, shkruan Katie në letrën e saj.

“Që prej sulmit i jam nënshtruar 250 operacioneve për të përmirësuar pamjen, por edhe funksionet fizike, përfshirë operacione për të më ndihmuar që të marr frymë nëpërmjet hundës, ashtu sikurse orë të tëra me terapi psikologjike që të më ndihmojnë për t’u përballur me traumën e sulmit dhe për të pranuar fytyrën time të re. Operacionet dhe terapia do të vijojnë gjatë gjithë jetës. Për ata që i mbijetojnë sulmit me acid, dënimi është i përjetshëm”, shkruan e reja më tej.

Apeli i saj vjen në kohë kur në Britani sulmet me acid janë shtuar ndjeshëm. Javën e shkuar, u raportuan 5 të tillë në vetëm 90 minuta. Për rastet në fjalë, policia arrestoi të shtunën në mbrëmje një adoleshent, vetëm 16 – vjeç.


Përgjigju