Pas tragjedisë, ja masat qe ka marrë Bashkia Shkodër për emergjencat

U desh të shënohej një tragjedi në një ndermarrje që bashkia Shkodër të zgjohej nga gjumi e të kuptonte nevojën për ndërhyrje tek emergjencat. Ajo ka parashikuar 1 milion e 193 mijë e 280 lekë për blerje aparate frymëmarrje për drejtorinë e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimit.

Një masë kjo mëse e domosdoshme në një kohë që çdo ditë në raste emergjencash nga zjarret, punonjësit e repartit zjarrfikës ndërhyjnë pa masat mbrojtëse të kërkuara, duke vënë në rrezik jetën. Edhe pse disa herë ishte kërkuar një gjë e tillë ndër vite, pushteti vendor e bëri “zemren” gur për ta miratuar këtë fond në fund të këtij viti, e për pasojë hyrja e tyre në perdorim do të bëhet vitin e ardhshëm.

Aktualisht situata paraqitet problematike dhe nevoja për ndërhyrje është imediate edhe për shërbime të tjera të ofruara nga drejtori të caktuara si ndërmarrja e ujësjellës kanalizime, sektori i kanalizimeve të ujrave të zeza, ku ende punonjësit operojnë në terren pa masat e duhura, e që premisa për të tjera fatkeqësi mund të jetë e pashmangshme.

Të tilla ndërhyrje nga institucionet e varësisë në fakt jo vetëm duhet të jenë primare, por duhen kryer të parat për sa kohe që në rrezik është jeta e njeriut. Rregulloret e këtyre drejtorive përcaktojnë qartë kushtet dhe kriteret e ndërhyrjes në rast një emergjence apo veprimi tjetër në terren, por që deri më sot janë anashkaluar nga të gjithë duke u pajtuar me realitetin e trishtë./ShkodraNews