Ngujimi/ Dëshirat e parealizuara të një 10 vjeçari

Loading...
Si shumë familje të tjera shkodrane gjakmarrja është ulur këmbëkryq edhe në familjen Gjata në fshatin Barbullush. Prej 7 vitesh një prej djemve të shtëpisë Agim Gjata ka vrarë një bashkëfshatrë, shtetasin Ndoc Çeliku pas një konflikti të çastit. Djali i Agimit, Ambri Gjata është 10 vjeç e gjysëm ndërsa detyrohet prej 3 vitesh shkollën ta bëjë tek dajat e tij në Postribë, rreth 1 orë larg banesës. Nëna e Ambrit 10 vjeçar, Mire Gjata tregon vështirësitë dhe se si në prag të nisjes së shkollës djali i saj ende nuk ka siguruar as librat.
“Jetojmë në kushte shumë të vështira. Djali im nuk mund ta bëjë shkollën këtu në Barbullush sepse familja tjetër nuk na lejon. E vetmja mënyrë është që të shkojë tek dajat e tij në Postribë. I falenderoj që na kanë lejuar të shkojmë atje. Ne jetojmë vetëm me 14 mijë lekë të vjetër dhe s’kemi asnjë të ardhur tjetër. Djali është i stresuar dhe nuk mund të shijojë lirinë si të gjithë shokët e tij. Kjo mua më vret shumë. Ndjehem shumë keq. I kërkoj shtetit ndihmë në mënyrë që të mundësohet që djalim im ta bëjë shkollën këtu në Barbullush dhe të dalë si të gjithë shokët e tij”, shkruan ShkodraNews.
Vetë Ambri, me një natyrë të heshtur tregon dëshirat e tij. Ai do që shkollën ta bëjë në fshatin e tij por tashmë e ka kuptuar se e ka të pamundur për shkak se familja e tij është e ngujuar prej shtatë vitesh. Ambri nuk ka shkuar asnjëherë në plazh apo nuk e ka shijuar asnjëherë lirinë e plotë si të gjithë fëmijët e tjerë.
“Unë nuk mund të shkojë në shkollë këtu në Barbullush. Jemi të ngujuar dhe e bëj shkollën në Postribë tek daja im. Nuk kam çfarë të bëj. Unë kam shumë dëshira por s’mund t’i realizoj. Nuk kam ende libra dhe as rroba për shkollën. Këtu në Barbullush nuk mund të dal. Ne jetojmë me frikë. Unë nuk kam shkuar kurrë në plazh dhe nuk kam luajtur kurrë me shokët ashtu si duhet. Ata vijmë këtu tek shtëpia ime sepse s’kam zgjidhje tjetër”.
Agim Gjata që vrau bashkëfshatarin e tij është penduar për atë që ka bërë dhe ka pranuar fajin. Agim i është drejtuar familjes Çeliku me një letër ku jo vetëm se pranon se është fajtor por i gatshëm edhe t’i dalë plumbave përballë në mënyrë që familja e tij të mos qëndrojë më e ngujuar. Në letrën e shkruar para dy viteve kërkon që hasmi t’i japë besë familjes së tij por familja Çeliku nuk e ka pranuar një gjë të tillë.
Gjyshi i Ambrit, Reshit Gjata, ka dënuar që në momentet e para krimin nga djali i tij aq sa në atë momente para 7 vitesh ka qenë gati edhe ta sulmojë. Reshiti kërkon ndihmë nga shteti ndërsa familjes Çeliku i kërkon që minimalisht t’i japin besë pjesës tjetër të familjes sepse janë të pafajshëm.
“Unë si babai i djalit që ka vrarë bashkëfshatarin tim e kam dënuar krimin që ka bërë djali im. Atë natë kur ka ndodhur po ta kisha parë ndokund edhe mund ta kisha sulmuar. Me familjen Çeliku ne kemi patur marrëdhënie të shkëlqyera ndër gjithë këto vite por në qershor të 2011 ndodhi ngjarja e rëndë. Që atëherë ne kemi qëndruar të ngujuar dhe nuk kemi mundur të dalim jashtë. Dy djemtë e mi janë në Milano por edhe qëndrojnë të mbyllur për shkak se 4 djemtë e familjes tjetër janë edhe ata në Milano vetëm 30 kilometër larg nga fëmijët e mi. Punojnë gratë e djemve nga pak sa për të mbajtur frymën gjallë. Unë kërkoj ndihmë nga shteti ndërsa familjes tjetër, zonjë së shtëpisë Rexhina Çeliku i kërkoj që ne të tjerëve të na lejojë që të dalim lirisht sepse jemi të pafajshëm. Ajo s’ka pranuar asnjëherë që ne të tjerëve të na japë besë dhe ne qëndrojmë të ngujuar. Unë i kam dërguar fjalë me pleqtë që le të merren me dorasin, pra djalin tim që është në burg dhe del pas afro një viti. Me atë të bëjnë çfarë të duan por ne të tjerëve duhet që të na lënë të dalim sepse po jetojmë me shumë vështirësi”.
Këtë vit shkollor, 9 fëmijë nuk do mund të shkojnë në shkollë për shkak të gjakmarrjes ndërsa 15 të tjerë do të bëjnë mësim në shtëpi. Shifrat për Shkodrën i bën të ditura kreu i pajtimit të gjaqeve Nikollë Shullani, raporton ShkodraNews.
Shteti shqiptar ka dështuar që t’i sigurojë jetën familjeve që qëndrojnë për vite të tëra të ngujuara nga frika se hasmi mund t’i vrasë. Ka fëmijë që nuk shkojnë në shkollë apo burra e gra që nuk e kalojnë asnjëherë pragun e derës duke jetuar në varfëri ekstreme. E vetmja mënyrë për familjet e dëmtuara është që gjakun ta lajnë me gjak pa njohur ligjet e shtetit shqiptar apo burgun që bëjnë autorët e vrasjeve./ShkodraNews
Loading...