Miratohet buxhet rekord, Bashkia i jep 1.4 miliard lekë Vllaznisë


Asambleja e Vllaznia sh.a miratoi 1.4 miliard lekë të vjetërpër buxhetin e vitit 2017-të por nga e gjitha kjo shumë 650 milion lekë të vjetër janë me humbje sepse të ardhurat nuk janë më shumë se 750 milion lekë të vjetër, çka do të thotë se nuk ka asnjë ide se si do të mbulohen pothuajse gjysma e totalit të buxhetit që u miratua. Ajo që konstatoi këtë fakt është anëtarja e asamblesë Senida Mesi. “Sillet këtu për t’u miratuar një buxhet i 2017-ës ku thuhet Vllaznia sh.a do harxhojë 1.4 miliard lekë të vjetër, do marrë 750 milion lekë të vjetër nga të ardhurat por 650 milion lekë nuk e dimë, bën zoti mirë, të shohim ishalla po na i jep bashkia. Asnjë administrator, asnjë bord drejtues, asnjë asamble, asnjë aksioner nuk mund të qeverisë kështu”.

Administratori i Vllaznisë Astrit Gjyrezi tha se kjo vjen edhe si shkak i mosmarrjes ende në dorëzim të stadiumit të ri “Loro Boriçi” që vazhdon ta administrojë dhe ta vjelë FSHF. “Besoj se shumë shpejt do marrë zgjidhje problemi i stadiumit dhe do të na lëjë që të bëjmë marketing, është çelësi për të mbajtur një sh.a në këmbë. Kemi humbur shumë firma që kanë dashur të reklamojnë për ne për shkak se nuk është marrë ende në dorëzim stadiumi i Shkodrës dhe të gjitha këto e rëndojnë situatën. Pastaj dihet që ka nisur procesi i privatizimit dhe në rast se Vllaznia privatizohet atëherë zgjidhet gjithçka”.

Nga ana tjetër anëtari i asamblesë Sokol Jubica bazuar tek raporti i KLSH që zbardhi “Panorama Sport” shprehet se në total borxhi për Vllazninë shkon në 700 milion lekë të vjetër pa llogaritur borxhin që Vllaznia ka të deklaruara në tatime.

“Janë akorduar 30 milion lekë për akademinë dhe këto para s’kanë shkuar asnjëherë tek akademia, a mund ta dimë se nga kanë shkuar. Pastaj raporti i auditit i KLSH thotë se janë 330 milion lekë sigurime shoqërore të papaguara dhe 230 milionë lekë të 15% të tatimit në burim të papaguara dhe të pakontabilizuara, pra të paragjistruara në tatime, ndryshe nga sa jeni shprehur ju në konferencë për shtyp para pak ditësh. Sipas KLSH mbi 150 milion lekë janë marrë borxh nga ana juaj me 3 vendime të bordit në 2016, një vendim në janar dhe dy në mars 2016 dhe në total borxhi shkon në mbi 700 milion lekë të vjetër pa llogaritur detyrimet që ju keni deklaruara në tatime. Në të njëjtën kohë vetë anëtari i bordit Mark Laloshi ka deklaruar se rrezikon që të nisë procesi i falimentit për Vllaznia sh.a, a mund të dihet se kush mban përgjegjësi për këtë shkatërrim të Vllaznisë në këtë mënyrë dhe pse i keni fshehur të gjitha këto detyrime në një kohë që i kemi kërkuar disa herë. Po ashtu nuk keni sjellë raportin e KLSH-së dhe duhet ta sillni ju dhe jo ta themi ne”.

Nga ana e tij administratori Gjyrezi nuk dha një përgjigje konkrete ndaj Jubicës. “Unë jam munduar të respektoj rendin e ditës dhe në mbledhjen tjetër pas një muaji nëse jeni të gatshëm mund të vijmë për të diskutuar raportin e KLSH, atë zyrtar që më ka ardhur mua në zyrë”-tha Gjyrezi.

Anëtari tjetër i asamblesë Sokol Lekaj deklaroi se Vllaznia duhet të privatizohet tashmë. “A ju bën përshtypje për këto lojtarët e huaj që vijnë marrin miliona dhe ikin pa dhënë asnjë rezultat. Nga ana tjetër nuk e di se përse bashkia vazhdon dhe e mban Vllazninë. Miratojmë gjithë ato miliona lekë që janë bërë miliarda dhe kur vjen fundi Vllaznia nuk është në atë vend që meriton”.

Senida Mesi iu rikthye edhe njëherë debatit duke thënë se Vllaznia trajtohet si një projekt politik i bashkisë. “Vllaznia problemin më të madh e ka se është trajtuar gjithmonë politikisht nga bashkia Shkodër, si një kartë, si një flamur i fitores në fushata elektorale dhe është trajtuar si një projekt politik dhe nuk duhet më kështu dhe e vetmja mënyrë është që bashkia të heq dorë nga administrimi i Vllaznisë sepse me ligj bashkia nuk është për të administruar një sh.a”.

Nga ana e tij administratori Astrit Gjyrezi deklaroi përpara asamblesë se ai po mundohet të bëjë më të mirët ndërsa një pjesë të mirë të situatës të vështirë nga detyrimet financiare dhe keqmenaxhimin ia faturoi drejtuesve të mëparshëm që në fakt edhe ata janë pjesë e PD ose të zgjedhur nga kjo forcë politike në krye të Vllaznisë. “Jemi munduar për të bërë më të mirën. Sigurimet shoqërore që janë shtuar e rëndojnë ekipin por jam munduar të bëj më të mirën dhe kaq kemi patur mundësi për të bërë. Jam i hapur dhe krejt transparent për të gjitha që kemi bërë. Nëse i krahasojmë me vitet e kaluara do shihni rënie të ndjeshme, jemi shumë më mirë se kemi qenë.  Në janar të 2016-ës kam prishur kontrata me lojtarë që nuk i kanë dhënë asnjë efekt financiar negativ bashkisë dhe janë 74 mijë euro të kursyera. Kemi paguar borxhe të mbartura herë pa here dhe nuk kanë qenë tonat por i kemi gjetur ama jemi të detyruar për t’i paguar. Nuk kam bërë mrekullinë por jam munduar dhe besoj se situata gradualisht po përmirësohet”.

Në fund u miratuan të gjitha pikat e rendit të ditës, pasqyrat financiare të 2014 dhe 2015, një ekserpt kontabël, pagat, tarifat për lojtarët e akademisë dhe buxheti i 2017. E vetmja pikë që nuk u miratua është statuti i Vllaznia sh.a që u shty për të bërë disa ndryshime.


Përgjigju