Martini jep alarmin: Vllaznia është për mbijetesë


Mungesa e afrimeve ngre “alarmin” te Vllaznia. Jo vetëm tifozët, por edhe emra të mirënjohur të futbollit shkodran shfaqen të shqetësuar nga pasiviteti i klubit. Edhe pse kanë nisur stërvitjen, në ekip nuk është bërë asnjë blerje dhe me këtë ritëm fundi duket sërish i hidhur.

I këtij mendimi është Edi Martini, i cili në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport” u bën apel drejtuesve që të nxitohen, pasi në të kundërt rreziku që do t’u kanosej do të ishte i madh. “Vllaznia është e vonuar në merkato. Askush nuk është afruar deri tani, çka do të thotë se për të bërë një skuadër kompetitive jemi vonë.

Skuadrat e vendeve të para kanë nisur me kohë të formohen, ndërsa ne jemi disa hapa prapa. Ekipet e tjera kanë filluar punën, kurse ne ende nuk jemi gjëkundi. Kjo është realisht shqetësuese.

Dëgjoj tek-tuk ndonjë emër, por në fund asgjë nuk po lëviz. Vllaznia ka domosdoshmëri për afrime cilësore dhe ato duhet të bëhen sa më shpejt”, u shpreh fillimisht ish-trajneri i shkodranëve në sezonin 2009-2010.

SHKODRANËT – Ai gjithnjë ka qenë “partizan” i elementit vendës, ndaj edhe këtë herë nuk heziton që t’u bëjë thirrje drejtuesve që të mbledhin lojtarët më cilësorë shkodranë për të ndërtuar ekipin.

“Unë do t’i rekomandoja drejtuesit e klubit të bëjnë të pamundurën që të afrojnë sa më shumë lojtarët shkodranë. Duhet Hasani, Lika, Nika dhe shumë të tjerë. Këta duhet të jenë pjesë të ekipit. E ka provuar Shkodra çfarë do të thotë që të kesh shkodranë në organikë.

Drejtuesit duhet të bëjnë të pamundurën për t’i rikthyer, pastaj i morën edhe ‘provat’ në ndeshjet e fundit të sezonit të shkuar. Ishin pikërisht shkodranët ata që dhanë maksimumin për atë fanellë. Fakti që jam ‘partizan’ i lojtarëve vendës, nuk do të thotë që s’duhet të afrohen edhe të tjerë.

Përkundrazi. Ka futbollistë shumë të mirë që mund të japin kontributin për shkodranët. Nëse përzgjidhen të duhurit, atëherë edhe ecuria e skuadrës do të jetë pozitive. Skuadrës i duhet një sulmues. Në këtë repart po vuajmë shumë, ndaj duhet bërë çmos që të gjendet një lojtar goli.

Por merkatoja nuk bëhet me numra, ndaj në klub duhet të jenë të kujdesshëm. Afrimet pa kriter mund të prishin edhe ekuilibrat në skuadër”, theksoi ish-mesfushori i shkodranëve.

PROGNOZA – Martini mendon se pa afrime Vllaznia mund të rrezikojë sërish mbijetesën, ndaj shpreson që klubi të zërë mend dhe të ketë progres këtë sezon. “As që diskutohet! Pa afrime, skuadra do të vuajë sërish. Nuk dua që me fjalët e mia të dekurajoj të rinjtë apo lojtarët që janë pjesë e grupit, por pa përforcime do të rrezikojmë.

Ne nuk kemi treguar asnjëherë se jemi një skuadër që në shtëpi nuk të fal. Kjo duhet pranuar. Por, nga ana tjetër, ekipet e sapongjitura do të bëjnë pikërisht këtë, pra që të mos i diskutojnë ndeshjet ku janë si pritës. Këto lloj skuadrash, forcën e tyre e bazojnë te faktori fushë.

Nëse kjo ndodh, atëherë Vllaznia do ta ketë të vështirë që të jetë kompetitive. Ndaj them se duhet me çdo kusht që skuadra të bëjë blerje. Me grupin që është momentalisht në ekip, unë mendoj se do të jenë sërish në luftë për mbijetesë”, përfundoi ish-futbollisti i kuqebluve.

Panorama Sport


Përgjigju