Lajm i mirë për tifozët shkodranë për ndeshjen Vllaznia – Teuta

Dy takimet e fundit të pasditës së djeshme mbyllën edhe javën e 19-të të Kategorisë Superiore. Javë e cila ishte e para për fazën e tretë të kampionatit. Por, Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar edhe kalendarin e ndeshjeve të javës së 20-të. Një javë e cila do të luhet në dy ditë, të dielën e 18 shkurtit dhe të hënën me 19.

Java do të hapet me dy takimet e para në orën 14:00. Laçi do të presë ekipin e Luftëtarit, ndërsa Kamza do të përballet në shtëpi me ekipin e Skendërbeut. Për të vazhduar më pas me dy takime të tjera në orën 17:00. Vllaznia pret në një ndeshje delikate Teutën e Durrësit, ndërsa në Vlorë Flamurtari vendas pret ekipin e Lushnjës. Java e 20-të mbyllet të hënën me supersfiden e javës mes Partizanit dhe Kukësit, që do të luhet në orën 18:00.

Duke u ndalur tek takimi Vllaznia – Teuta, bie në sy orari që është tepër i favorshëm për të pasur një numër të konsiderueshëm tifozësh shkodranë në këtë takim. Kujtojmë se edhe në startin e kampionatit, Vllaznia fitonte ndeshjen e parë me Lushnjën dhe më pas me Teuten kishte rreth 3-4 mijë tifozë të pranishëm në stadiumin “Loro Boriçi”. Por, a do të jenë të pranishëm edhe këtë sfidë tifozët shkodranë ? Kjo mbetet për tu parë. Ndoshta tifozët do të besojnë edhe këtë herë se kthesa e Vllaznisë ka nisur tashmë. /ShkodraNews