Kalendari i lashtë shqiptar


Populli shqiptar ka patur që në kohëra të lashta një kalendar të vetin, i cili është kalendar unik në botë për “veçoritë” e tij, dhe ka qenë në përdorim vetëm nga shqiptarët.

Më pas gjatë periudhave të ndryshme historike, janë adoptuar dhe kalendarë të tjerë si grekë e romakë, që kanë arritur të stabilizohen si variante “shqiptare” të atyre kalendarëve.

Pikërisht në këtë punim do të marrim përsipër, që përveç rregullimit të disa problemeve deri më tani të patrajtuara, gjithashtu të bëjmë një paraqitje sa më të qartë të këtyre kalendarëve, veçanërisht të kalendarit të lashtë shqiptar.

Kalendari i lashtë,  ka qenë një kalendar origjinal, të cilin populli shqiptar e ka praktikuar gjer vonë, e madje mbahet mend dhe sot. I vetmi deri më tani ka qenë studiuesi Rrok Zojzi që mori shënime nga populli për këtë kalendar.

Në këtë punim fillimisht do shqyrtojmë vendosjen e datave dhe më pas disa çështje tjera. Një kalendar i tillë tradicional, mijëravjeçar, ka vlerë të madhe nëse përgatitet në formën e tij burimor për përdorim, sepse si i tillë do të mund të ishte në dispozicionin e popullit, si një vepër e artit popullor shqiptar, madje duke qenë i njëjtë në tërë Shqipërinë do të ishte një nga elementet unifikuese të kulturës shqiptare.

Kalendari në formën siç na e jep Rrok Zojzi është si vijon:

Viti është baraz me 365 ditë, të ndara kësisoj: “3 ditë janë festat për fillimin e vitit (“kryet e motmotit”), 180 ditë janë të verës, 2 ditë janë festat e mesit të vitit dhe 180 ditë janë të dimrit. Secila nga dy gjysmat e vitit (stinë) ndahet në 4 pjesë me nga 45 ditë secila, të cilët Zojzi konvencionalisht i quan muaj”.

Për më tej japim listën e festave me datat përkatëse:
Kryet e motmotit – 6, 7, 8 maj
Festa e të korrave – 23 qershor
Festa e maleve – 7 gusht
Dita e Vjeshtës – 21 shtator
Mesi i vitit – 5, 6 nëntor
Buzmi – 22 dhjetor
Mesdimri – 5 shkurt
Dita e Pranverës – 22 mars
Me këtë datim të festave rregullohet edhe datimi i muajve, pasi këta të gjithë fillonin me një festë:
Kryet e Motmotit – muaji i parë i verës
Festa e të korrave – “Korriku”
Festa e maleve – “Djegaguri”
Dita e vjeshtës – “Vjeshta”
Mesi i vitit – muaji i parë i dimrit
Buzmi – “Brymsi”
Mesdimri – “Ngrijsi”
Dita e Pranverës – “Pranvera”


Sa i përket emrave të dy muajve që Zojzi nuk ka arritur të gjejë, ne nuk kemi asnjë të dhënë por do ishte mirë t’i gjenim emra të natyrshëm sipas një kriteri siç do t’a shohim më poshtë, emra që do t’i përgjigjeshin këtyre muajve. Kështu shohim që “Korriku” dhe “Djegaguri” të kalendarit të lashtë, kanë shërbyer si emra për muajt në kalendarin e ri (romak / 12-muajsh).

Sipas këtij parimi, meqë muaji i parë i dimrit në kalendarin e lashtë ka shtrirje pjesërisht në nëntor dhe pjesërisht në dhjetor (nga tri javë secili), atëherë do ketë patur emrin e njërit prej tyre, ndonjë emër jo-kristian të gurrës shqipe. Kështu nëntori ndryshe quhej brymor, vjeshtë e tretë, britëm i tretë, ndërsa dhjetori quhej edhe dimëror.

Por termi ‘brymor’ nuk mund të ketë qenë ndonjëherë emër i këtij muaji sepse do të shkaktonte konfuzion në popull, duke qenë i ngjashëm me “Brymës” që gjendet menjëherë pas tij. Termi “Vjeshtë” nuk bën sepse si muaj 45-ditësh gjendet para tij, e nuk mund të bëhen dy muaj me një emër.

Britëm, mbase mund të jetë i përdorshëm, porse ky në ditët tona ka kuptimin e vjeshtës dhe është sinonim me të. Kështu na mbetet e lirë shprehja dimëror/dimnor, me të cilin në kalendarin e ri quhej dhjetori deri vonë. Tri javë të dhjetorit bëjnë pjesë në këtë 45-ditësh, prandaj emri i tij dimëror mund të ketë qenë emër i këtij 45-ditëshi, njëjtë sikurse tri javë të gushtit bëjnë pjesë në “djegagur”, prej nga edhe gushti e mori këtë emër shqip.

Përveç kësaj ky është muaji me të cilin fillon dimri. Për muajin e parë të verës, Zojzi dyshon se mund të ketë qenë “Qershor”, mundësi të cilën as ne nuk e përjashtojmë, duke qenë se qershori me afro tri javë të tij futet në muajin e parë të verës të kalendarit të lashtë. Ndoshta edhe ka ndonjë krahinë ku ruhen ende emrat e pavjelur të këtyre dy muajve (nëqoftëse nuk kanë qenë të tillë siç po i paraqesim).


Përgjigju