Intensifikohen zjarret në Shkodër, shpëtohen disa shtëpi


Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 15 vatra zjarri në Berat, Shkodër, Tiranë, Vlorë, Durrës, Lezhë dhe Dibër, njoftuan Emergjencat Civile sot.

Kjo është situata në qarkun Shkodër:

• Në fshatit Bleran, Shkodër ka rënë zjarr në pyllin me pisha. Zjarri ka rrezikuar seriozisht edhe disa banesa të fshatit. Në ndihmë të zjarrfikësve kanë shkuar edhe 20 forca ushtarake të cilët nuk kanë mundur të shuajnë zjarrin pasi ai favorizohej edhe nga era.

Për të shuar flakët u angazhua edhe një helikopter. Sipas raportimeve të zjarrfikësve zjarri ka djegur rreth 10 ha me shkurre, ferra dhe pisha.

• Në fshatin Vilëz, Shkodër ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Zjarri ka rrezikuar xhaminë dhe disa banesa të fshatit. Për shkak të terrenit të thyer dhe erës zjarrfikëset e ushtria nuk kanë mundur të shuajnë zjarrin. Sipas raportimeve zjarri dogji rreth 10 ha me shkurre dhe ferra. Forcat zjarrfikëse dhe të ushtrisë po punojnë edhe ditën e sotme për shuarjen e zjarrit.

• Në fshatin Vorfë, Malësi e Madhe ka rënë zjarr në një zonë me shkurre, ferra dhe pemëtari. Falë ndërhyrjes së zjarrfikësve u shpëtuan disa banesa që ndodheshin aty pranë.

• Në fshatin Gomsiqe, Vau-Dejës ka rënë zjarr në pyll me pisha. Zjarrfikëset kanë punuar gjatë gjithë natës për shuarjen e vatrave të zjarrit dhe i ka vënë ato nën kontroll. Ditën e sotme forcat do të punojnë për shuarjen përfundimtare të zjarrit.

• Në njësinë Administrative Vig-Mnelë Vau-Dejës zjarri i rënë në një masiv me pisha është fikur. Zjarrfikëset dhe forcat e ushtrisë kanë arritur të shuajnë edhe vatrat e fshehura të zjarrit.

QARKU LEZHË

• Në malin e Manatisë, Lezhë ka rënë zjarr në pyllin me pisha. Zjarrfikëset dhe 53 forcave ushtarake kanë punuar gjatë gjithë natës për shuarjen e zjarrit, i cili ka rrezikuar banesat në fshatin Manati. Për arsye sigurie janë evakuuar 3 familje. Zjarri dogji rreth 5 ha me shkurre e ferra dhe pyll pishe. Forcat e ushtrisë po punojnë për shuarjen e zjarrit në lartësitë e malit, ndërsa forcat dhe automjetet zjarrfikëse janë në gatishmëri pranë banesave.

• Në fshatit Tale Lezhë ka rënë zjarr në një zonë me shkurre dhe ferra. Zjarrfikëset së bashku me komunitetin kanë arritur të shuajnë flakët. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe prej rreth 5 dynymë me shkurre e ferra dhe ullinj.


Përgjigju