Habit kreu i dhomës: Do mbyllim dyqanet e lagjeve, drejtojuni supermarketeve


Nikolin Jaka, kreu i dhomës së tregtisë dhe industrisë në kryeqytet është shprehur në emisionin “Top Show” se 138 mijë biznese të vogla do të mbyllen në mënyrë që të përfitojnë bizneset e mëdha.

Jaka i cili ka për detyrë të mbrojë bizneset, tha se vendosja e TVSH për këto biznese të vogla është zgjidhja e duhur që ato të mbyllen.

Ai u shpreh se:

Dyqanet e lagjeve duhet të mbyllen dhe do të mbyllen brenda 4-5 viteve. Qytetarët duhet të shkojnë të blejnë në supermarkete. Këta pronarë të dyqaneve të lagjes, janë ekonomistë, berberë, këpucarë apo orëndreqës të cilët shumë mirë mund të punojnë në profesionin e tyre.

Të regjistruar rezultojnë aktualisht 138 mijë biznese të vogla nga të cilët përfitojnë të ardhura të paktën 2 perona në një familje.

Afërsisht 300 mijë persona i humbin të ardhurat e tyre dhe e gjithë ekonomia shkon drejt monopolit.

Duke u shprehur sikur i njeh mirë këta persona, Jaka thotë me siguri të madhe se ata mund të gjejnë punë në fushën e tyre.

Me një logjikë të thjeshtë, nëse këta persona do të kishin gjetur punë për atë çfarë janë specializuar, nuk do hapnin dyqane lagjeje e të përballonin TVSH-të rrënuese.

Përfaqësuesi i bizneseve të vogla në Tiranë, iu kundërvu plotësisht këtij mendimi të Jakës dhe shtoi se e gjitha kjo po bëhej për të mbyllur këto biznese me qëllim krijimin e monopolit.


Përgjigju