Goditet trafiku ndërkombëtar i drogës/ Policia e Shkodrës ndjek trafikantët por …


Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e trafikit ndërkombëtar të lëndëve narkotike, Drejtoria Rajonale Për Kufirin dhe Migracionin Shkodër në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve kanë goditur një tjetër rast të tentativës për trafik të lëndëve narkotike.

Nga shërbimet e Policisë Kufitare të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, që patrullojnë në vijën e gjelbër është marrë informacion në rrugë operative se në vendin e quajtur “Bukoviç”, Njësia Administrative Kastrat, Malësi e Madhe, rreth 100-150m larg kufirit të gjelbër, dy shtetas po transportonin lëndë narkotike në drejtim të Malit të Zi.

Shërbimet e Policisë Kufitare menjëherë janë vënë në ndjekje të tyre si dhe kanë kërkuar mbështetje me forca të tjera ku është njoftuar edhe Sektori për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.

Dy shtetasit që po transportonin lëndën narkotike sapo kanë diktuar se po ndiqeshin nga Policia kanë braktisur lëndën narkotike dhe duke përfituar nga terreni i vështirë malor dhe me shkurre të dendura, kanë arritur ti shpëtojnë ndjekjes së Policisë.

Grupi hetimor ka gjetur në vendngjarje dy thasë ku brenda tyre kishte lëndë narkotike dhe pas peshimit rezultuan me peshë 32 kilogramë Cannabis Sativa.

Gjithashtu në afërsi të thasëve u gjetën dhe dy qese plastmasi me lëndë narkotike, ku pas peshimit rezultuan 4 kilogramë 124 gr të llojit Heroinë.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në përfundim të veprimeve të para hetimore , bazuar edhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative kanë shpallur në kërkim dy të rinj nga Shkodra ku për arsye hetimi nuk jepen të dhëna të mëtejshme.

Po vijon puna për kapjen dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale.

Materialet iu referuan Prokurorisë Krimeve të Rënda Tiranë, për veprën penale ”Trafikimi i narkotikëve”mbetur në tentativë dhe në bashkëpunim e parashikuar nga neni 283/a e 22 e 25 i Kodit Penal.


Përgjigju