Gjoka: E menaxhuam mirë ndeshjen deri tek goli i parë

Pas humbjes me Teutën, trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka është shfaqur i zhgënjyer me skuadrën e tij. Në prononcimin pas ndeshjes, trajneri i shkodranëve tha se ishte dita më e keqe për skuadrën e tij.

“Ishte një ndeshje të cilën nuk e zhvilluam mirë ndaj Teutës. Rruga do të jetë e vështirë dhe nëse në ditën e sotme do të kishim realizuar detyrat ashtu siç duhet, do të kishim marrë diçka nga ky takim. Megjithatë kjo ishte dita më e keqe për skuadrën. Kemi gabuar gjithçka në pjesën e parë dhe duhet të shohim për vazhdimësinë dhe të marrim masat për të mos përsëritur gabimet. Deri në momentin e golit të parë po e menaxhonim mirë ndeshjen dhe çdo gjë ndryshoi në atë moment. Futbollistët do ta marrin veten dhe do të vazhdojnë rrugën pavarësisht se është shumë e vështirë.” – tha fillimisht Gjoka.

Por, ai beson në ndeshjet në vazhdim të skuadrës së tij. “Ne do të bëjmë mirë në ndeshjet brenda dhe do të mundohemi të mos lëmë pikë në këto takime. Nëse do të jemi të qetë dhe të qartë për atë që ne kërkojmë, atëherë jemi në rrugën e duhur.” – e mbyll deklaratën pas ndeshjes, trajneri Gjoka. /ShkodraNews