Edi Martini i kënaqur: Vllaznia i tejkaloi pritshmëritë

Ka qenë ndër futbollistët më të spikatur të Vllaznisë, madje, pasi la futbollin e luajtur, Edi Martini ka pasur rastin ta drejtojë Vllazninë nga stoli. Aktualisht është trajner rajonal i Kombëtares U-17 dhe drejtonte dhe akademinë e tij. Por Martini vazhdon ta ndjekë skuadrën e qytetit hap pas hapi, në ndeshje e stërvitje. Si një analist i mirëfilltë i futbollit, ai përcjell mendimet e tij për skuadrën kuqeblu. “Vllaznia ka shkuar aty, ku e ka vendin. Nëse do të më kishin pyetur para fillimit të kampionatit, do të kisha thënë se vendi i katërt është maksimumi i Vllaznisë. Madje mund ta kisha renditur një vend më poshtë, në të pestin. Për pozicionin aktual ka meritë krejt ekipi, lojtarët, stafi dhe gjithë aktorët e tjerë të klubit”, – thotë Martini, duke shprehur vlerësimin e tij për ecurinë e Vllaznisë dhe pozicionin e saj. Me sinqeritet ai pranon se nuk i mendonte dy barazimet me Kukësin dhe Partizanin: “Përpara dy apo tri javëve kam qenë shumë skeptik dhe do të kisha thënë se Vllaznia nuk do të merrte pikë në Kukës, po ashtu edhe me Partizani. Kanë qenë katër javë shumë të vështira, ku nuk e kam pritur, që Vllaznia të marrë pikë“, – shton ish-lojtari i njohur.

VAZHDIMËSIA – Sipas Martinit, kuqeblutë po kalojnë një formë shumë të mirë sportive, duke e treguar edhe ndaj ekipeve të forta, por ai bën apel për kujdes ndaj kundërshtarëve të konsideruar më të dobët për të mos pasur ndonjë surprizë të padëshiruar: “Vllaznia po kalon një formë jashtëzakonisht të mirë. Ekipi ka pasur mungesa, por edhe ata që janë aktivizuar nga stoli, e kanë justifikuar plotësisht veten. Duhet thënë se Vllaznia gjithmonë me skuadrat e mira ka bërë ndeshje shumë të mira dhe tani duhet të jetë e kujdesshëm, sepse vijnë ndeshjet më të dobëta në letër, por që realisht janë shumë të forta. Me përjashtim të Korabit, që e shoh të dorëzuar, çdo ndeshje tjetër, në Shkodër apo jashtë, e konsideroj finale më vete”.

VENDI I KATËRT – Falë lojërave shumë të mira dhe pikëve të marra, Vllaznia mban vendin e 4-t, Vend ky, që me kalimin e Skënderbeut në finale të Kupës së Shqipërisë dhe fitimin e mundshëm të saj, u mundëson shkodranëve Europën. Kështu, Vllaznia duhet ta ruajë deri në fund këtë vend. Martini e sheh të mundshëm realizimin e këtij objektivi, por tërheq vëmendjen për t’u ruajtur nga kërcënimi nga skuadrat ndjekëse. “Nuk është çudi, jemi në vend të katërt, një pikë larg Luftëtarit, por afër janë edhe Teuta, Tirana e Laçi. Nuk është çudi të ketë ndonjë rokadë, pasi është një luftë shumë e egër. Nuk jemi për të rënë nga kategoria, them se kemi kaluar një stad të qetë sa i përket fundit të tabelës. Për vendin e katërt është një luftë shumë e fortë dhe, siç vijnë gjërat, ky vend mund të sigurojë një vend në Kupat e Europës, që është shumë i rëndësishëm për financat e Vllaznisë”, – thotë Edi Martini.

 

Kritika dhe lavde bashkisë

Teksa analizon punën e Bashkisë së Shkodrës, që administron Vllazninë, Martini vë në dukje problemet e mëparshme dhe vlerëson punën e tanishme: “Që nga momenti, kur Vllaznia administrohet nga bashkia, vendi i katërt është ëndërr, është një gjë e jashtëzakonisht e madhe, sepse më përpara kemi qenë në vend të parë, kemi fituar kupa e kampionate. Kur ish-kryetari i bashkisë mori fatet e Vllaznisë në dorë, u shkatërruam deri në këtë pikë të hallit, aq sa sot gëzohemi që jemi në vend të katërt. Është dashamirësi e kryetares Voltana Ademi, që është bërë një mbledhje kaq e rëndësishme për regjistrimin e logos në QKR. Mund të ishte bërë përpara 5 vitesh, por drejtuesit e mëparshëm e kanë përdorur për interesa të tyre, duke ua kaluar zviceranëve apo të tjerëve skuadrën. Kjo mbledhje e bërë tashti, dhe bravo i qoftë kryetares, duhej bërë para 5 vitesh”.

 

Vlerësimi për Rubin Hebajn

Në prononcimin e Martinit, ka vend edhe për një mendim rreth 18- vjeçarit Rubin Hebaj, i cili, me lojën e golat e shënuar, ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve. Këtë futbollist Martini ka kohë që e ndjek dhe mendon se opinionet duhet të jenë pak më të frenuara për superlativat ndaj tij. “E kam ndjekur, më ka pëlqyer që në fillimet e tij, kur e kam parë duke luajtur në Shkodër. Sigurisht, ka të dhënë shumë të mira, por është në hapat e parë të futbollit profesionist. Ai djalë ka shumë punë për të bërë dhe shpresoj të mos ndikohet nga ekranet e televizorit apo mediet në përgjithësi, të jetë me “këmbë në tokë”. Ka rrugë shumë të gjatë për të bërë dhe, nëse do të punojë me kokë poshtë, do të stërvitet mirë, do të arrijë pika të larta. Hë për hë, mund të them thjesht se është një lojtar që ka të ardhme. Nuk më pëlqen të lakohet pa kriter fjala “talent”. Jam shumë i rezervuar në këtë drejtim”, – thekson Martini për Hebajn, edhe pse ai vetë nuk i shmang vlerësimet për këtë sulmues.