Dështimet e Ernest Gjokës, trajnerit që e ndaloi policia për trukime në Austri!

Ernest Gjoka drejton prej 12 javësh Vllazninë ndërsa deri tani ka siguruar tri fitore, një barazim dhe tetë humbje. Vllaznia me Ernest Gjokën ka grumbulluar vetëm 13 pikë nga 36 të mundshme duke lënë kështu në këto 12 javë jo pak por 20 pikë. Vllaznia ka 13 gola të shënuar dhe 24 të pësuar në këto 12 ndeshje. Kuqeblutë gjithashtu kanë 3 humbje radhazi ndërsa vetëm në katër ndeshjet e fundit kanë pësuar 14 gola, pra 3.5 gola të pësuar në katër sfida e fundit. Duke mos harruar eleminimin nga Kupa e Shqipërisë. Ndryshe nga sa ndodhur në ditët e para në Shkodër Ernest Gjoka tha se ka ardhur për të arritur disa ambicie me Vllazninë dhe jo për mbijetesën. Premtimi i tij por edhe i drejtuesve ashtu siç objektivat e kuqebluve nuk po realizohen. Përgjegjës për këtë situatë kryetari i këshillit bashkiak Xhemal Bushati bëri që nga koka dhe deri tek lojtari i fundit duke i përfshirë të gjithë.

Pavarësisht kësaj situate trajneri i Vllaznisë Ernest Gjoka gjatë qëndrimit në Shkodër po tregohet kokëfortë. Edhe pse rezultatet nuk flasin në favor të tij, ende nuk ka denjuar që të mbajë përgjegjësitë që i takojnë duke kërkuar ende durim. Në fakt kanë mbetur vetëm dy faza për t’u luajtur, dy faza në të cilat lufta është shumë më e egër se fillimi dhe nuk ka kohë as për durim dhe asgjë tjetër por ajo që i nevojitet Vllaznisë janë përgjegjësia dhe pikët. Është një ekip që nuk ka luksin të durojë.

Për të mos mjaftuar tekniku i kuqebluve i cili u mirëprit nga të gjithë kur u emërua, lëkundet dhe nuk ka asnjë dëshirë që të bëjë transparencë për pagat që ai vetë, stafi dhe lojtarët marrin duke harruar se janë paratë e taksapaguesve shkodran dhe jo një presidenti ‘Big Boss’ siç mund të jetë mësuar. E pakuptimtë është përse Gjoka nuk do të jetë transparent. Në fakt aktualisht në Austri që para 18 nëntorit 2017 ka një hetim për trukim rezultatesh në kohën kur Ernest Gjoka ishte trajner i Kukësit. Përveç lojtarëve, ndër kryesorët ku ka dyshime është edhe Ernest Gjoka. Në korrik të 2017 për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar, një trajner shqiptar i një ekipi cilësor ndalet nga policia e një shteti të huaj, ulet nga autobuzi dhe shkon për t’u marrë në pyetje. Kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë. (lexo ketu)

Nga ana tjetër si për çudi Ernest Gjoka në stafin e tij tek Vllaznia ka një person i cili është dënuar nga Komisioni i Disiplinës në FSHF për trukim ndeshjes. Ai është trajneri i portierëve Alfred Osmani i cili bashkë me Arjan Pishën janë dy raste unike, ndër të vetmit lojtarë të dënuar nga FSHF për fiksim të ndeshjeve. Nga ana tjetër edhe pse të pavërtetuara aludime ka se Ernest Gjoka edhe tek Flamurtari ka patur probleme ndërsa është cilësuar si ‘benjamini’ i Shpëtim Gjikës. Aq sa pas ndërrimit të presidencës, Gjoka paditi djalin e tezës së tij, presidentin e Flamurtarit Idriz Sinani duke i fituar rreth 45 mijë euro pasi u shkarkua për pagat. Duke parë të gjitha këto mund të kuptohet edhe më shumë se përse trajneri kërkon të mos bëjë transparencë për pagat.

Ajo që të bën përshtypje është se si klubi Vllaznia dhe një ent publik si bashkia Shkodër emëron në krye të pankinës një person kaq të përfolur për trukim ndeshjesh dhe përveç kësaj ka një stafin e tij një person të dënuar nga FSHF sërish për trukim rezultati. Të gjitha këto janë diskutuar edhe nga antarë të Këshillit Bashkiak, nga persona brenda bashkisë dhe stafit drejtues të Vllaznisë, në opinionin sportiv, nga shoqëria civile por askush nuk ka reaguar me idenë për të mos dëmtuar Vllazninë.

Ndoshta nuk është momenti por Ernest Gjoka po tejkalon pozicionin e tij si trajner, nuk po merr asnjë përgjegjësi ndërsa çudit kur e shqetëson transparenca në një kohë kur ndodhet nën hetim.

Ernest Gjoka ishte trajner i Apolonisë por pasi ndërtoi ekipin u largua dhe ai ekip ra nga Kategoria, Ernest Gjoka ishte tek Kamza por edhe ai ekip ra nga Kategoria, nuk arriti atë që duhej me Flamurtarin ndërsa tek Kukësi të gjithë e dinë se titullin kampion më shumë se kushdo e siguroi presidenti Safet Gjici. Tashmë Ernest Gjoka mori Vllazninë për ta ndryshuar situatën por në fakt situata u përkeqësua me 8 humbje deri tani dhe vetëm 3 fitore e 1 barazim. Miliona para u shpenzuan në merkato dhe vetë trajneri pranoi se 60% e ekipit është riformatuar por sërish nuk ka rezultat ndërsa Vllaznia më shumë se kurrë po rrezikon rënien nga Superiorja./ShkodraNews