Deklarata tronditëse e autorit të studimit mbi 40 familjet mafioze: Në Shkodër janë…

Pedagogu Fabian Zhilla, ekspert i sigurisë publike, doktoruar në Britaninë e Madhe dhe specializuar në ShBA, publikoi dy ditë më parë, së bashku me Besfort Lamallarin një studim  me titull “Evoluimi i strukturave të organizuara kriminale në Shqipëri”, me 130 faqe, ku përmenden histori, fakte, në pjesën më të madhe të tyre të njohura, por nuk citohen emra konkretë të organizatave kriminale apo drejtueseve të tyre.

Zhilla e ka një përgjigje për këtë moment që në pamje të parë duket si mungesë, pasi të bën që pritshmëritë t’i kesh të larta për të mësuar dhe zbuluar më shumë…, “i jemi shmangur emrave për të mbrojtur veten dhe burimet tona”, shprehet ai.

Fabian Zhilla thotë për ‘Dita’ se Shqipëria është një vend problematik sa i përket krimit dhe organizatave kriminale. Madje, ai shkon më tej duke pohuar se politika ka qenë e lidhur me krimin që në fillimet e tij dhe vazhdon të ketë lidhje me të edhe sot. “Në studimin tonë ne kemi cilësuar se nëse krimi deri përpara vitit 2005 e shihte shtetin si konkurrent, në 10 vitet e fundit e ka parë atë si partner dhe anasjelltas”, shprehet  autori.

-Ju flisni në studimin tuaj për grupe kriminale apo për organizata mafioze?

Ne flasim për grupe kriminale. Me shumë sesa ndryshim juridik, termi “organizatë mafioze” është term i fushës se kriminologjisë. Dallim kryesor është se organizata mafioze ndër aktivitetet kriminale të shumta ofron shërbime të tilla si mbrojtja, mbledhja e borxheve dhe përdor presionin dhe shantazhin në përfitim të organizatës mafioze.

-Kur janë fillesat e tyre të para, bëhet fjalë për grupe të krijuara pas ‘90-s apo jo?

Ka grupe të cilat i kanë fillesat e tyre që në vitet ‘93 dhe që kanë arritur t’i qëndrojnë madje dhe të integrohen fuqimisht në ekonomi dhe politikë.

-Pse i jeni shmangur përmendjes së emrave?

Organizatat në fjalë janë organizata shumë të fuqishme me njohje dhe asete të shumta financiare. I jemi shmangur emrave për të mbrojtur veten dhe burimet tona. Ndërkohë, qëllimi i studimit nuk është evidentimi grupeve konkrete, por më shumë pasqyrimi i rrezikut dhe përhapjes së krimit të organizuar në nivel kombëtar.

-Ju tregoni edhe për familjet kriminale, na tregoni pak më shumë ku ndodhen ato dhe çfarë karakteristikash kanë?

Të ashtuquajtura “familje” kriminale ndodhen në të gjitha qytetet që ne kemi përmendur, por ato më të rrezikshmet janë në qytetet e Shkodrës, Fierit, dhe Durrësit.

-Po grupet kriminale, në çfarë lloje krimesh janë të përfshira më tepër?

Në përgjithësi grupet kriminale janë të përfshira kryesisht në trafikun e narkotikëve, qenieve njerëzore dhe pastrim parash.

-Sipas asaj që ju keni studiuar, cili qytet shfaqet më i rrezikshëm për sa i përket kriminalitetit nga këto grupe?

Aktiviteti më i rrezikshëm është trafiku i drogave të rënda.

-Po “familja”?

Paçka se dhe “familjet” janë të përfshira në trafikun e narkotikëve, disa prej tyre janë të përfshira edhe në trafikun e qenieve njerëzore dhe gjobvënie.

-Besoj jeni njohur edhe me histori interesante eliminimesh njerëzore, cila të ka bërë më shumë përshtypje?

Të gjitha organizatat tashmë janë sofistikuar duke përdorur vrasjet me pagesë dhe eksplozivët. Ndër më të dhunshmet janë ato të qytetit të Shkodrës.

-Fabian, këto grupe veprojnë si organizata të mirëfillta, ku respektojnë rregullat e vendosura prej tyre apo janë organizata pa bosht që janë ndërtuar rishtazi?

Këto organizata janë të mbështetura në lidhje familjare dhe shoqërore pa një hierarki specifike. Kryesisht drejtohen nga një grup të besuarish ose nga kryefamiljari i familjes