Arrestohen 15 trafikantë kokaine në Mal të Zi, ja si funksiononte grupi që kishte edhe shqiptarë

Një grup i madh i trafikut të drogës janë arrestuar në komunën shqiptare të Tuzit në Malin e Zi. Janë rreth 15 persona në total që kanë rënë në prangat e policisë malazeze. Mes tyre ka shqiptarë, kosovarë dhe shtetas nga Mali i Zi. Mes tyre janë arrestuar edhe gra të cilat merreshin me trafikun e drogës. Sipas burimeve nga policia malazeze janë rreth 6 kilogram kokainë të sekuestruar.

Kjo sasi droge dyshohet se transportohej deri në Shqipëri e më pas nga Shkodra drejt Malit të Zi për të përfunduar në shtetet e Europës. Shtetasi kosovar është arrestuar në doganë duke pritur që të vijë drejt Shkodrës nga Mali i Zi ndërsa pjesa tjetër e grupit janë arrestuar në Tuz, raporton ShkodraNews.

Ky grup besohet se kishte disa kohë që funksiononte duke mundësuar trafikimin e kokainës. Ende nuk është e konfirmuar por mes të arrestuarve mund të ketë edhe shkodran. Sasia prej 6 kg kokainë e sekuestruar është e konsiderueshme shoqëruar me një numër të madh të arrestuarish prej afro 15 personash./ShkodraNews