Aleati i Bashës: Unë do ta votoja Fatos Nanon për President


Intervista me kryetarin e Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka dhënë për ‘Mapo’ për situatën politike në vend dhe mundësitë e zgjedhjes së saj.

Kreu i PAA thotë se vendi ndodhet “jo vetëm në një krizë politike por edhe besimi, kjo është edhe rrjedhojë e mungesës së komunikimit normal midis mazhorancës dhe opozitës. Ne jemi në kërkim të garancive për zgjedhje të lira edhe të ndershme”. Sipas Dukës, kërkesat e opozitës duhet të plotësohen.agron-duka-zyre-copy

Z.Duka, kohët e fundit janë ngritur pikëpyetje të shumta mbi qëndrimin e partisë tuaj. Ju jeni pjesë e bllokut opozitar dhe pjesë e protestës së nisur në 18 shkurt. Njëkohësisht është konstatuar një angazhim konstant i Partisë Agrare Ambientaliste me struktura në gjithë vendin në një klimë që mund të cilësohet si elektorale, edhe pse ju pohoni se nuk do të hyni në zgjedhje, mund të na jepni një koment? 

Këto spekulime janë pjesë e lojës mediatike që është ngritur rreth opozitës. Pozicioni im dhe i Partisë Agrare Ambientaliste ka qenë dhe mbetet ai për të cilin dolëm në protestë në 18 shkurt, kërkesa për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në asnjë moment nuk jemi tërhequr nga qëndrimet tona. Çdo aktivitet, çdo takim që ka ngritur kureshtje dhe dyshime ka qenë në funksion të organizimit dhe ristrukturimit të PAA-së. Siç dihet, është bërë tanimë një vit që unë drejtoj këtë parti. PAA është një nga partitë më të hershme të pluralizmit shqiptar, por i nevojitej një ristrukturim për të ngritur struktura që të përputhen me objektivat tanë politikë dhe elektoralë. Ndonëse konteksti politik nuk është i qartë, nuk mund të heqim dorë nga puna e përditshme, pra nga organizimi.

Z.Duka, sikurse e pohuat, konteksti politik nuk është i qartë, palët po qëndrojnë në pozicionet e tyre. Në këtë situatë si mund të zgjidhet kriza?

Jemi jo vetëm në një krizë politike por edhe besimi, kjo është edhe rrjedhojë e mungesës së komunikimit normal midis mazhorancës dhe opozitës. Ne jemi në kërkim të garancive për zgjedhje të lira edhe të ndershme. Në këto raste përgjegjëse për mbarëvajtjen e zgjedhjeve është mazhoranca, pra nëse mazhoranca do të ketë një proces zgjedhor demokratik dhe me standarde, duhet të na ofrojë një platformë ku na prezanton një plan masash për të garantuar procesin. Kjo nuk ka ndodhur dhe për këtë arsye kërkohet një qeveri teknike që të zhvillojë zgjedhje të pakontestueshme. Nëse pastaj duam ta quajmë qeveri besimi, qeveri gjithëpërfshirëse nuk ka rëndësi, kjo është e vetmja rrugëzgjidhje.

Z.Duka, për zgjidhjen e krizës janë angazhuar edhe përfaqësues diplomatik të vendeve partnere, mendoni se do të jenë ata një faktor në zgjidhjen e krizës?

Në këtë moment një palë e tretë është e domosdoshme për të zhbllokuar ngërçin. Ndërkombëtarët kanë pasur dhe do të kenë një rol të rëndësishëm duke pas parasysh edhe kontekstin në të cilin ndodhet sot Ballkani. Gjithsesi, gjykoj se është një fatkeqësi që ne duhet të kemi akoma nevojë për palë të treta për zhvillimin e jetës tonë demokratike. Këtë rol në një shtet normal mund ta zgjidhte Presidenti i Republikës, i cili do të detyronte palët në një dialog konstruktiv, por Presidenti si institucion është i cunguar pasi Kushtetuta e ka limituar dhe shfuqizuar rolin e tij. Një president i zgjedhur nga populli do të kishte një rol më autoritar dhe legjitimitetin politik për të ulur palët në biseda pa pritur ndërhyrjen e ndërkombëtarëve.

Pra ju mendoni se Presidenti duhet të zgjidhet me votën e popullit?

Patjetër që po. Kjo ide është artikuluar në debatin politik në mënyrë të përsëritur dhe është e vetmja mënyrë që kemi për të limituar dobësimin progresiv të këtij institucioni. Unë kam mbështetur me firmë propozimin e Blushit që në qershorin e kaluar. Ky amendament për ndryshimet në Kushtetutë u nënshkrua nga dhjetë deputetë, nga parti të majta dhe të djathta, por mbeti një letër e vdekur. Kjo është mënyra më demokratike për ta ringritur rolin që duhet të ketë kreu më i lartë i shtetit. Në situatë në të cilën jemi, në pamundësi për të zgjedhur presidentin nga populli, për të sjellë një sezon të ri besimi palët duhet të zgjedhin një personalitet të spikatur që të ketë një peshë pse jo simbolike në politikën e vendit.

Z.Duka, kur flitet për kandidatët për postin e Presidentit, emri i Fatos Nano është nga të parët që lakohet, nëse mazhoranca do të propozonte Nanon si kandidat për President, ju do ta votonit?

Nëse Rama dhe Meta do të propozonin Nanon unë do ta votoja. Nuk e kam fshehur kurrë simpatinë dhe respektin që kam për Nanon. Unë e gjykoj si një figurë bipartizane mbi të cilin palët mund të gjejnë një dakordësi. Cilësitë e tij politike nuk mohohen dot nga askush, as eksperienca dhe kontributi i tij në jetën politike të Shqipërisë. Ka qenë lideri i parë që ka mundësuar rotacionin paqësor të pushtetit pas humbjeve të zgjedhjeve, një akt civilizues që normalizoi raportin e politikanëve me pushtetin. Në këtë moment zgjidhja e tij do t’i jepte një hov tjetër institucionit të Presidentit, ai do të ishte një zë i fuqishëm në zgjidhjen e krizave politike të vendit.


Përgjigju