Alarmi i meteorologëve: Kujdes nesër dhe pasnesër! Rikthehet dimri


Dy ditët në vazhdim do të jenë edhe më të ftohta pasi pritet rënie e temperaturave me 3 dhe 5 gradë.

Metodi Marku, meteorolog nga Instituti i Gjeoshkencave, tregon se situata do të vijë duke u përmirësuar gradualisht, por nuk përjashtohen rastet që mund të ketë rrufe dhe erë të fortë.

“Nesër në mëngjes ne presim të kemi një mëngjes me 5 gradë më të ftohtë sesa mëngjesi i sotëm dhe një ditë më pas akoma mëngjesi tjetër do të sjelli 3 gradë rënie. Më pas dita e shtunë dhe e diele do të na rikthejë me largimin e masës së ajrit të ftohtë dhe të kthejë në temperaturat e javës kaluar”, tha Marku.

Reshjet e ditëve të fundit kanë arritur edhe 35mm në 10 orë, duke krijuar probleme në disa qytete të vendit. Por sipas Markut, më shqetësuese do të jenë reshjet e dëborës mbi 1000 m që mund të krijojnë ngrirje të telave elektrik.

“Problemet nuk janë aq shumë tek reshjet e shiut sesa tek reshjet e dëborës mbi 1 mijë metra të cilat do të depozitohen në objektet sensibel, telat e energjisë elektrike dhe gjatë javës që vjen mund të ngrijnë dhe të krijojnë probleme për transmetimin e energjisë elektrike në ato zona”, u shpreh meteorologu Marku.

Në ditët në vazhdim reshjet do te largohen drejt Maqedonisë dhe Greqisë duke i lënë pas vranësira dhe reshje në zona të kufizuara të vendit.


Përgjigju