Adriatik Llalla i ka keq punët, sot vendoset për pasurinë e ish-kryeprokurorit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit për ankimimin e komisionarit publik do të vendosë sot për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për ish-Kryeprokurorin Adriatik Llalla, ku pritet të vendoset nëse do të kryer verifikim i pasurisë së tij.

Seanca e sotme është vazhdimi i asaj të 15 ditëve më parë, e cila u shty pasi Llalla nuk kishte marrë njoftim për të dhe se avokati i tij duhet të rifreskonte prokurën. Ai tha se kishte dy javë që nuk komunikonte me klientin e tij, duke ngjallur reagime të ndryshme në media.

Hazizaj kërkoi jo më pak se 15 ditë kohë nga trupi gjykues, në përbërje të të cilit është edhe paraardhësja e Llallës në Prokurorinë e Përgjithshme, Ina Rama.

Kujtojmë se procesi i rivlerësimit për ish-Kryeprokurorin Llalla nisi në nëntor 2017, por ai u ndërpre me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Shkak për ndërprerjen u bë dorëheqja e Llallës nga sistemi i drejtësisë. Ish-Kryeprokurori Llalla vendosi që të mos e shfrytëzojë privilegjin ligjor për t’u emëruar në Apel.

Mirëpo, pas regjistrimit të procedimit penal ndaj Llallës, në mars të këtij viti në Prokurorinë e Durrësit, komisionari publik vendosi të apelojë vendimin për ndërprerjen e procesit të rivlerësimit ndaj ishKryeprokurorit.

Mbetet të shihet se cilat janë argumentet e komisionarit për vazhdimin e vetingut për Llallën. Nga ana tjetër, ish-Kryeprokurori është nën hetim për katër vepra të ndryshme penale.