22 deputetë europianë bëjnë gjestin e madh për Kosovën, ja çfarë ka ngjarë

22 anëtarë të Parlamentit Evropian kanë kërkuar liberalizimin e vizave për Kosovës.

Përmes një letre presidentit të Këshillit të Evropës Donald Tusk dhe përfaqësuesit të përhershëm austriak në BE Nikolaus Marschik, kërkohet që të miratohet sa më parë heqjen e vizave për Kosovën në zonën Shengen.

Në letër, deputetët e PE-së  i rikthehen 18 korrikut të këtij viti, duke rikujtuar konfirmimin e Komisionit Evropian e dy kushteve të jashtëzakonshme për liberalizmin e vizave, siç janë ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi dhe shtrëngimin e luftës kundër krimit e korrupsionit.

“Qëndrimi ynë është se liberalizimi i vizave do të përmirësojë stabilitetin dhe ta afrojë Kosovën me BE-në duke përmirësuar lehtësimin e udhëtimit dhe të bërjes biznes, ndërsa ndihmon edhe luftën kundër kontrabandës dhe korrupsionit”, thuhet mes tjerash në këtë letër që ka siguruar “Koha Ditore”.

“Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor qytetarët e të cilit ende kanë nevojë për viza që të udhëtojnë në Zonën Schengen. Kjo veçse ka krijuar një ndjenjë izolimi që prek jetët e përditshme të qytetarëve të Kosovës. Ne veçse kemi qenë dëshmitarë të rritjes së një gjenerate të re të përjashtuar nga pjesa tjetër e Evropës së bashkuar dhe prosperuese. Regjimi pa viza paraqet një prej arritjeve më të prekshme dhe më konkrete të perspektivës evropiane të vendit. Ne i bëjmë thirrje Këshillit që të caktojë një datë për votim në këtë çështje dhe të miratojë regjimin pa viza për Kosovën pa vonesa të mëtejme”, theksohet në letrën e 22 deputetëve të Parlamentit Evropian.

Letra e cila vjen përpara mbledhjes së Këshillit të Evropës më 13-14 dhjetor të 2018-s, është nënshkruar nga:Tanja Fajon, Eduard Kukan, Andery Kovatchev, Angelika Mlinar, Asim Ademov, Barbara Spinelli, Birgit Sippel, Danielle Viotti, Dubravka Shuica, Eugen Freund, Heinz K. Becker, Igor Sholtes, Ilhan Kyuchyuk, Ivo Vajgl, Jordi Sole, Jozo Radosh, Knut Fleckenstein, Lukas Mandl, Marie-Christine Vergiat, Othmar Karas, Sophie in ‘t Veld e Tonino Picula.

Sa i takon raportueses së Parlamentit Evropian për liberalizmin e vizave, Tanja Fajon, ajo u shpreh e zhgënjyer karshi mungesës së vullnetit për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe i kërkoi institucioneve kosovare që të jenë më të drejtpërdrejta me vendet anëtare, e jo me institucionet e BE-së.